
Komisioni Vendor i Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile u mblodh sot për të koordinuar dhe menaxhuar situatën e shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut, që po sjellin dëmtime në rrugë, ura dhe disa banesa në territorin e Mirditës.
Në fshatin Jezull (Njësia Administrative Rrëshen), është dëmtuar shpatulla mbështetëse e një ure tip Bejli, duke bërë të pamundur kalimin e rrugës dhe duke e nxjerrë urën jashtë funksionit.
Aksi rrugor Rrëshen–Bukmirë është problematik, me gurë të rrëshqitur dhe gërryerje të bazamentit të rrugës.
Në fshatin Kodër-Rrëshen ka rrëshqitje toke pranë një banese.
Në lagjen Mollaj, dalja e përroit ka sjellë gurë në rrugë.
Në Njësinë Administrative Orosh janë dëmtuar rrugët e fshatrave Bulshar, Grykë-Orosh, Nënshejt, Pëshqesh dhe Kullaxhi.
Në Njësinë Administrative Selitë është bllokuar rruga që lidh fshatrat Bardhaj dhe Lëkundë.
Në Njësinë Administrative Kthellë paraqiten dëmtime në fshtrat: Tharri, Shebe, Përlat Qendër, Troje dhe Prosek, veçanërisht në lagjet Vadhishtë, Kabal dhe Curgu.
Në Njësinë Administrative Kaçinar është dëmtuar ura që lidh fshatin Shpërdhazë dhe rruga lidhëse me lagjen Preçaj në Simon, si pasojë e rritjes së nivelit të përrojt.
Në Njësinë Administrative Fan janë dëmtuar rrugët që lidhin fshatrat Shëngjin, Klos, Munellë dhe Zall Xhuxhë; disa ura pasarela në Thirrë, Bisakë dhe Xhakëz mbahen nën monitorim, ndërsa pas qetësimit të situatës do ndërhyhet për riparimin e tyre.
Në aksin Përlat–Lurë ka gurë dhe dhera në rrugë; firma kontraktore që po ndërton segmentin është njoftuar dhe pritet ndërhyrja.
Sipas informacioneve për Hidrocentralin e Qafmollës nuk parashikohen shkarkime gjatë orëve në vijim, por po mbahet kontakt i vazhdueshëm me përfaqësuesit e Hec-it.
Ekipet e Bashkisë Mirditë janë në terren dhe po ndërhyjnë aty ku është e mundur për rehabilitimin e rrugëve, ndërsa struktura e Mbrojtjes Civile po monitoron situatën dhe mbetet në gatishmëri për çdo emergjencë.



